

Nga Keze Kozeta Zylo
Në OKB Përkujtohet Dita Ndërkombëtare e Holokaustit
Jetën ja detyroj shqiptarëve… Po qe se bota do të ishte shqiptare ne nuk do të flisnim për Holokaust sot, tha znj.Johanna Nehumann e mbijetuara e Holokaustit
Në Ditën Ndërkombëtare përkujtimore të Holokaustit në mjediset e Kombeve të Bashkuara u bënë homazhe për 6 milion hebrenj, viktima të Holokaustit nazist te udhëhequra nga Hitleri.
27 Janari është ditë që përkon me kampin e shfarosjes së Auschwitz-Birkenau i cili u çlirua në vitin 1945.
Kjo Ditë Ndërkombëtare përkujtimore kthehet në edukimin e gjerë të popujve, duke u shfaqur filma të ndryshëm, dëshmi, seminare që këto histori makabre mos të përsëriten më. Megjithatë tragjeditë në vende të ndryshme të botës ende po vazhdojnë, jo shumë larg le të kujtojmë Kosovën tonë martire ku bisha serbe vrau, dogji, masakroi, dhunoi, apo dhe në ditët e sotme, popullin e pafajshëm ne Siri, Ruandë etj…
Në selinë qëndrore të OKB-s në sallën e konferencave u zhvillua panel diskutimi me temë: ”Një komunitet i shpëtuar” organizuar nga organizata B’NAI B’RITH International në bashkëpunim me Misionin e Përhershëm shqiptar në Kombet e Bashkuara në diten përkujtimore ndërkombëtare të Holokaustit. Në sallë ishin plot shqiptarë, veprimtarë të dalluar, të mbijetuar të Holokaustit, si dhe Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në New York Ambasador Bekim Sejdiu, Konsulli pranë Misionit të Përhershëm në OKB z.Petrika Jorgji etj.
Fjalën e hapjes e mbajti presidenti i B’NAI B’RITH International Allan J.Jacobs i cili shprehu mirënjohjen e pakufishme për popullin shqiptar. Moderatori i programit ishte z.Daniel S.Mariaschin zv/president B’NAI B’RITH International i cili ia dha fjalën Ambasadorit të përhershëm pranë OKB-s z.Ferit Hoxha. Në fjalën e tij Ambasadori Hoxha tha: “Qëkur mbaroi lufta e dytë botërore 6000 libra janë shkruajtur dhe po shkruhen çdo vit duke dokumentuar të vërtetën se çfarë hebrenjtë kanë kaluar gjatë jetës së tyre. Në librat e shkruara shumë pak është shkruajtur rreth shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri. Komunizmi i dogji dokumentat për 50 vjet dhe ne duhet të prisnim për vitin 90 në përmbysjen e komunizmit që të kishim dritën e parë të dëshmisë.
Fatmirësisht gjatë këtyre dy dekadave të fundit janë zbuluar dokumente, dhe kanë sjellë gjërat të çmuara dhe gjërat e çmuara janë identifikuar”.
Ndërsa Shirley Cloyes Dio Guardi Këshilltare e çështjeve ballkanike e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane në panelin e diskutimit tha se: çfarë kanë bërë shqiptarët për të shpëtuar hebrenjtë duhet të kuptohet kultura e tolerancës fetare midis shqiptarëve. Ata janë popull i mrekullueshëm, mikpritës dhe të besës. Dy kongresistët amerikanë Tom Lantoshi i mbijetuar i Holokaustit dhe Dio Guardi me origjinë shqiptare shkuan në Kosovë dhe ishin ndër të parët që dëgjuan historitë se si hebrenjtë ishin shpëtuar nga shumë familje shqiptare. Të gjitha këto histori u përhapën si vetëtima në të gjithë botën.
Shirley dhe Joe Dio Guardi janë dy veprimtarë të shquar të çështjes kombëtare.
Fjala e znj.Johanna Nehumann e mbijetuar e Holokaustit ishte tejet emocionante. Ajo transmetoi mesazhin e fuqishëm se: Jetën ja detyron shqiptarëve… Po qe se bota do të ishte shqiptare ne nuk do të flisnim për Holocaust sot. Znj.Nehumann ka lindur në Hamburg Gjermani dhe ndjehej me shumë fat që mbijetoi me prindërit e saj nga populli shqiptar.
Znj.Melina Lito foli për gjyshin e saj që kishte punuar në spitalin e Prishtinës dhe kishte ndihmuar 60 të burgosur hebrenj. Gjyshi i saj ishte doktor dhe kur zyrtarët gjermanë i thanë se do t’i çonin në kampin e përqëndrimit në Poloni, ai gjeti një rrugë tepër të zgjuar për t’i mbrojtur ata. Ju tha se ata janë me sëmundjen e tifos dhe i frikësoi se në se do t’i çonin atje do të përhapej me shpejtësi dhe do të prekte dhe punonjësit gjermanë. Ata u frikësuan dhe hebrenjtë i çuan në Shqipëri, në Kavajë, Vlorë dhe shpëtuan nga shfarosja.
Ndërsa znj.Majlinda Myrto tha se ishte e nderuar që të fliste në emër të shqiptarëve që shpëtuan hebrenjtë nga Hitleri dhe jam e gëzuar t’ju tregoj historinë e familjes së bashkëshortit tim. Vjehrri im, i ndjeri Shyqyri Myrto u takua me Joseph Jakoel në shkollë të mesme dhe ishin shokë. Në pranverë të vitit 1944 kur erdhën gjermanët të cilët po kërkonin çdo emër hebre, vjehrri im me lejen e prindërve të tij i ftoi Joseph dhe Keti të strehoheshin në shtëpinë e tyre për t’i ruajtur nga ushtria hitleriane. Ata ndenjën atje për 6 muaj. Të gjithë fqinjët e dinin që ishin hebrenj dhe i mbanin tepër sekret. Vjehrri i kishte treguar se kur gjermanët erdhën nëpërmjet derës kryesore ata nuk e hapën derisa i fshehën dhe Ketin e veshën me kostum shqiptar dhe e çuan në dhomë, atyre u thanë se burrat nuk janë të lejuar të vizitojnë. Ata e vazhduan shoqërinë përgjithmonë. Në vitin 1991 u larguan nga Shqipëria për në Izrael. Ata përherë kanë shprehur mirënjohjen për vjehrrin tim, por familja ka vepruar natyrshëm se në se Jozefi dhe Keti do të kishin të njejtën situatë dhe ata do ta bënin për ne. Gjithmonë mendoj se ai ishte nje burrë i veçantë dhe jam shumë krenare për të. Unë vetëm dëshiroj të jem një rol model për femijët e mi siç ishte ai dhe do ta mbyll duke thënë: Në se njerëzit do të jenë më të pranueshem dhe tolerant me njeri tjetrin kjo do të filloj nga unë.
Duke marrë pjesë në këtë panel diskutimi dhe në Ditën përkujtimore të viktimave të Holokaustit mendoj se gjithë bota duhet të edukohet që këto krime barbare të mos ndodhin më kurrë, ndaj dhe duhen dënuar.
27 Janar, 2014
Manhattan, New York
Bisedoi Keze Kozeta Zylo
Mirënjohja e Dr.Zino Matathia për shqiptarët që i mbrojtën nga Hitleri
Në ditën ndërkombëtare të Holokaustit famëkeq që kreu masakrën më të madhe botërore duke zhdukur 6 000 000 hebrenj nga Hitleri, po sjellim pranë jush Dr.Zino Matathia. Dr.Matathia është një nga figurat më të spikatura intelektuale izraelite, i lindur dhe rritur në Shqipëri.
Dr. Matathia cila është historia e familjes suaj, dhe kur kanë ardhur parardhësit tuaj për herë të parë në Shqipëri?
Matathia, Mattatia dhe Matatiau është i njejti mbiemër, në Izrael përdoret dhe si emër, dhe ka kuptimin: “Dhuratë e Zotit”. Matathiat, rrjedhin nga fisi i Hashmonai-ve, që ka jetuar në Judë, në Veriperëndim të Jeruzalemit. Matatia luftoi kundër Antiokusit IV, në shekullin e dytë para Krishtit.
Antiokusi i IV, i detyroi hebrenjtë të paguanin taksa të rënda dhe e ktheu Tempullin e shenjtë të tyre në një tempull të Zeusit, ndaloi të nderohej dita e shtunë, ndaloi cirkumcizionin, fëmija që ishte bërë synet, së bashku me nënën dhe familjarët, dënoheshin me vdekje. Matathia vrau përfaqësuesin e Antiokusit dhe së bashku me pesë djemtë e tij dhe me shumë pasues, filluan revoltën e armatosur. Njeri nga djemtë e tij, Jehuda, për aftësitë e tij ushtarake dhe forcën fizike, u quajt Makabi që në hebraisht ka kuptimin “çekiçi”. Mbas vdekjes së Matathias qe i biri, që udhëhoqi hebrenjtë drejt fitores, çliroi Jeruzalemin dhe e bëri përsëri Tempullin, Tempullin e Zotit. Në kujtim të kësaj fitoreje festohet Hanuka-ja, ajo është festa e dritës, fitorja e shpirtit mbi forcat brutale që kërcënonin Izraelin në jetën e tij shoqërore dhe fetare.
Dinastia e tyre, mbretëroi në Judë nga viti 140 B.C. deri në vitin 37 B.C. Ata restauruan dhe forcuan institucionet politike dhe fetare të Izraelit të lashtë. Historia e tyre është shkruar në librat e shenjtë hebraikë dhe të krishtera, nga historianë të ndryshëm, por dhe nga një bashkëkohës, Flavius Josephus. Zbulimet arkeologjike në Izrael, vitet e fundit, kanë nxjerrë në dritë një gur ku është shkruar për revoltën e Makabinjve dhe Hanukanë, guri daton shekullin e dytë para Krishtit. Ne vitin 37 gjenerali romak Pompeu pushtoi Jeruzalemin dhe vuri mbret Herodin e madh. Në vitin 135 mbas revoltës së Bar KOLBA, perandori Adrian i Romës, ja ndëroi emrin Judës dhe e quajti provincë siriano palestineze.
Legjenda thotë se 2.000 vjet më parë një anije e nisur drejt Romës me një ngarkesë plot e përplot me skllav- hebrej nga Palestina e kishte ndryshuar drejtimin, e detyruar nga stuhia e detit, duke i lëshuar ata në brigjet e Ilirisë. Romakët nuk bënë përpjekje për t’i kapur skllavët hebrej të ikur dhe menduan se ata do të zhdukeshin sa prej kushteve natyrore aq edhe prej kafshëve të egra. Sipas të dhënave gojore të familjes Matathia në këtë anije ishin të gjithë pjesëtarët e kësaj familje që po i çonin në Romë, për t’i poshtëruar, të kalonin të lidhur nën harkun e fitores së romakëve dhe se romakët nuk i ndoqën, nga frika e Ilirëve që banonin në këto zona dhe se në atë kohë ishin në luftë me ta.
Enciklopedia Hebraike nuk e përmend legjendën e anijes së humbur, bile nuk i përmend as romaniotët si pasardhës të “Valës së Parë” me përjashtim të kësaj legjende, asnjë fakt tjetër nuk gjëndet për të lidhur “Romën” me “Romaniotët”
Sidoqoftë dihet se familja Matathia ka jetuar në shekuj në brigjet Ilire, sot Greqia veriore dhe prej andej, kanë ardhur në Shqipëri rreth vitit 1850.
Stërgjyshi im Isak Matathia me gruan e tij dhe me të vëllain, Jozefin, ishte i pari nga familja jonë qe ka ardhur në Vlorë, dhe varri i tij ndodhet në fshatin Tragjas. Dihet me siguri se Matathiat janë Romaniotë sepse ata ishin shqip dhe greqisht folës dhe asnjë nga ata nuk dinte Latino, që përdoresh nga të gjithë ata që e kishin prejardhjen nga Spanja.
Cilat janë disa nga kujtimet e prindërve për mikpritjen e familjeve shqiptare dhe si shpëtuat nga kthetrat e forcave naziste gjermanë?
Familja jonë asnjëherë nuk e ka fshehur identitetin e saj dhe e ka ndjerë vehten si vendas dhe jo “si trup i huaj”. Hebrenjtë shqiptarë gëzonin të drejtat e feve kryesore, pamvarësisht se ishin pakicë. Marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe hebrenjve kanë qenë shume të mira. Me sa di unë dhe me sa shkruhet dhe nga Harvey Sarner, shumica e hebrenjve shqiptarë, në vitin 1910-1912, shërbyen në ushtrinë shqiptare dhe u lejohej të kryenin ritet e tyre fetare.
Në dokumentat zyrtare përmendet se në vitin 1920 Mateo Matathia, ka luftuar për clirimin e Vlorës nga pushtuesit italian. Në atë luftë si dhe në evenimentet e mëvonshme, përkrah Mateo Matathisë kanë qenë edhe Nesim Levi e Jozef Kantozi. Xha Mateo ishte një nga themeluesit e odës së tregëtisë në Vlorë dhe sekretari i saj dhe më vonë antar i Këshillit Bashkiak. Mateo Matathia, Pepe Levi së bashku me patriotë të tjerë si Ibrahim Shyti, Ali Asllani, Musa Jonuzi, dr Ali Mihali, Jani Minga, Reis Golemi, Kristo Karbunara, Murat Tërbaci, Ahmet Muka, pasuruan bibliotekën e Vlorës. Per 22 vjet biblioteka e Vlorës ishte në ndërtesën e familjes së Mateo Matathias. Në nderim të hebrenjve populli i Vlorës ka emërtuar një rrugë “të hebrenjeve”, një rrugë Mateo Matathia dhe një Pepe Levi. Gjatë Luftës Nacionale Clirimtare, të gjithë hebrenjtë kanë ndihmuar luftën kundër pushtuesve materialisht dhe moralisht, ka pasur partizanë dhe 8 dëshmorë. Prinderit e mij Ilia Matathia dhe Hrisi Matathia kanë mjekuar partizanë dhe kanë strehuar ilegalë.
Ahmet Zogu u përpoq t’u jepte strehim në Shqipëri të gjithë jahudinjve që do ta dëshironin. Zogu shpalli liri individuale fetare për shqiptarët. Kushtetuta e vitit 1928 garantonte se: “Të gjitha fetë dhe besimet nderohen dhe sigurohet liria e praktikimit të tyre. Feja nuk mundet të krijojë në asnjë mënyrë pengesa juridike dhe nuk mund të përdoret për qëllime politike.” Për herë të parë e të fundit në vitin 1929–1931, u bë regjistrimi i lirë i hebrenjve në Shqiperi, gjë që nuk ishte bërë kurrë më parë as në Europë. U ligjërua që dita e shtunë është ditë pushimi për hebrenjtë, si dhe ju dha e drejta të kenë faltoret e tyre. Jeta e hebrejve në Shqipëri gjatë periudhës italiane ishte mjaft e zakonshme. Me sa shihet në atë kohë nuk kishte nevojë për t’u fshehur dhe ditët e shenjta të hebrejve celebroheshin në mënyrë të hapur. Gjyshi im (nga nëna) Isak Cohen i ka dërguar letër mëkëmbësit të mbretit Jakomonit dhe i kërkonte që shtepia e tij në Durrës, të përdorej dhe për Sinagogë.
Gjendja ndryshoi krejtësisht me pushtimin e Shqipërisë nga nazistët gjerman. Në bullgari dhe në Maqedoni hebrejtë jo vendës iu dorëzuan gjermanëve.
Sipas tregimeve të prindërve të mij dhe me ato pak që mbaj mend, në kohën e pushtimit të Shqiperise nga ushtria naziste: vitet 1943-1944 hebrenjtë e shqipërisë kanë qenë shumë të rrezikuar, sidomos mbasi gjenerali SS Joseph Fitzhum zëvendësoi gjeneralin Neubacher.
Familja Matathia, gjyshi im, së bashku me djemtë e tij: Zakino, Ilia, Josef, David, me nënën time, Hrisi dhe me mua që isha 4 vjeç kemi ikur nga Vlora dhe jemi fshehur nëpër fshatra te miqtë familjarë si te familja Bano në fshatin Tragjas, Myzafer Kamberi në Kaninë, Idai Sheme Zanaj në Drashovicë, në fshatin Panaja . Po kështu u larguan nga qytetet, jo vetëm pjestarët e familjeve Matathia, por gjithë hebrenjtë e Vlorës dhe të gjithë Shqipërisë.
Familjen tonë dhe gjithë hebrenjtë e Vlorës i ka ndihmuar shume prefekti i asaj kohe Vizhdan Risilija dhe kryetari i bashkisë Myhedin Haxhiu (i arsimuar në Vienë).
Përfundimisht duket se Fitzhum urdhëroi që hebrejtë e Vlorës të arrestoheshin dhe të transportoheshin drejt Reichut bashkë me Gjermanët që tërhiqeshin. Mbështetur dhe në burimet amerikane, sipas Sarner, dy përfaqësues të bashkësisë hebraike në Shqipëri, Rafael Jakoel dhe Mateo Matathia, duke qenë të vetëdijshëm se ky urdhër i nazistëve do të thoshte arrestim dhe shfarosje të gjithë bashkësisë (“Shoah”), iu drejtuan për ndihmë Mehdi Frashërit. Ky i fundit i këshilloi ata që të takoheshin me ministrin e brendshëm Xhafer Deva, i cili njihej si anti-semit. Ata shkuan të takonin me ministrin Deva, megjithëse e dinin rrezikun që u vinte rrotull nga ky takim. Të dy pranuan sfidën, duke u lënë familjeve lamtumirën përpara se të niseshin. Për çudinë e tyre, sedra nacionale e ministrit Deva doli më e fortë se anti-semitizmi i tij i njohur. Ai mori përsipër të kundërshtonte kërkesën e nazistëve. Deva ia doli që t’i bindtte ata që të tërhiqeshin nga kërkesa për dorëzimin e listave të hebrenjve, përkohësisht.
Në të vërtetë, avancimi i partizanëve e prishi këtë plan dhe hebrejtë shpëtuan.
Gjatë bisedave me të afërmit tuaj apo dhe vetë personalisht qoftë dhe njëherë të vetme keni ndjerë ndonjë lloj persekucioni si hebrej?
Në Shqipëri nuk kemi vuajtur asnjëherë antisemitizmin, as nga populli, as nga qeveritë që ai ka patur. Burgimet dhe sekuestrimi i pasurive të fisit tim, nuk ishin antisemitizëm, ishin luftë klasash. Regjimi i Enver Hoxhës, nuk ishte antisemit, por anti Izraelit,”Izraeli është kobure e imperializmit amerikan” thoshte Enver Hoxha.
Ju jeni një doktor kirurg shumë i njohur, profesionin e mjekut e zgjodhët vetë apo ju ishte imponuar?
Thjesht ishte dëshira e prindërve të mi të cilët me durim arritën të ma transmetonin edhe mua gradualisht. Kur përfundova gjimnazin më doli e drejta e studimit për
histori-gjeografi dhe jam i sigurt se jeta ime do të ishte vërtetë me më pak emocione, por do të kishte kaluar shumë më e qetë. Specialitetin e kirurgjisë e zgjodha vetë.
E dua shumë si degë, me gjithë vështirësitë e saj.
Cilat janë disa nga kujtimet më pikante gjatë operacioneve me pacientët e ndryshëm shqiptarë të cilëve ju keni shpëtuar jetën, apo dhe në klinikat e tjera jashtë vendit ku keni shërbyer?
Mjekësia, në përgjithësi dhe kirurgjia në veçanti, ka për qellim t’ju shpëtojë jetën njerëzve dhe në rastin më të keq t’ju lehtesojë vuajtjet.
Për mua i vetmi kriter për vlerësimin e punës sime ka qënë mirënjohja e njerëzve, e pacientëve, familjarëve dhe shokëve të tyre. Punë dhe shpëtim jetësh? Ky është profesioni i kirurgut, kjo është detyra e tij. Mirënjohja është një nga vetitë më të mira që e zbukuron njeriun, një nga vlerat më të bukura njerëzore që lumturon si atë që e jep, sigurisht dhe atë që i drejtohet. Të them të vërtetën lumturohem kur më thonë një fjalë të mirë, kur më përshëndesin, kur më shtrëngojnë dorën, kur më buzëqeshin dhe më thonë faleminderit. Në këto 43 vite të punës sime si kirurg, kam operuar me mijëra të sëmurë, por mbaj mend dy ose tre raste i kam humbur dhe gjithmonë kam menduar: “Po ta kisha operuar x ose y ndoshta do të kishte shpëtuar dhe vuaja, vuaja shumë”.
I emocionuar dhe shumë krenar kam qenë, kur së bashku me dr.Barjam Balën, në vitin 1999, kam qenë pjesë e spitalit ushtarak Izraelit, në ndihmë të popullit Kosovar.
Keni pasur ndërhyrje nga lart gjatë kohës së regjimit komunist për miqtë e tyre gjatë operacioneve të ndryshme që keni kryer?
Në ndonjë rast dhe ka patur, është normale edhe në atë kohë ka patur ndërhyje për miqtë dhe shokët. Unë po kujtoj tjetër problem. Kur punoja në Berat, isha shef i shërbimit spitalor dhe ambulator dhe kryetari i komisionit mjeko ligjor. Një ditë më thonë se në mbledhjen e këshillit popullor, të komitetit egzekutiv, kryetari i nje kooperative, që ishte dhe hero i punes socialiste tha se Dr.Zino u jep gjithë armiqve të pushtetit popullor punë të lehtë. Ai thoshte të vërtetën, në Berat ishin internuar shumë ”armiq” dhe në familjet e tyre, kishte shumë të moshuar dhe të sëmurë dhe nga komisioni kishin marrë cfarë u takonte në bazë të ligjit. Të nesërmen shkova te sekretari i parë dhe ja shpjegova shqetsimin tim. Ai më tha se ti je mjek dhe bëj punën tënde, puno i qetë.
Cila është përvoja juaj si mjek në Izrael, dhe si e shikoni ndryshimin midis spitaleve shqiptare dhe izraelite? Si e shpjegoni që të gjithë fëmijët e qeveritarëve dhe vetë qeveritarët nuk kurohen në Shqipëri, por shkojnë jashtë saj, a nuk është fort e dhimbshme për një mjek kjo gjendje?
Do ta shtjelloj pyetjen pak më ndryshe. Nga përvoja e shkollës shqiptare të mjekësisë dhe kirurgjise arrita të marrë jo vetëm licencën e mjekut, por dhe titullin “Specialist në kirurgjinë e përgjithshme” dhe të më njihet grada ”Doktor i shkencave mjekësore” dhe të bëhem antar i shoqatës së mjekëve të Izraelit dhe shoqatës së kirurgëve specialist.
Ndryshimin e nivelit të spitaleve? Ju i jeni përgjigjur: se ku kurohen qeveritarët dhe fëmijët e tyre. Ndryshimet jane të tilla sa duhet të bëhen përmirësime në mënyrën e mësimdhënies, ekonomike, etike, sociale etj. Duke filluar nga më e “Vogla”, lufta kundër korrupsionit dhe që i sëmuri nuk është “Objekt pune” se mjekësia është profesion shkencë dhe art, se duhet dhe shumë dashuri, shumë dashuri për njeriun….
Bashkëshortja juaj është shqiptare ortodokse nuk është me origjinë izraelite, keni pasur pengesa nga familja juaj për t’u martuar?
Vali eshte mirëpritur që ditën e parë nga familja ime. Ajo ka qenë si bijë për prindërit e mij dhe e ka merituar me dashurinë kujdesin dhe mirësinë e saj për ta.
Sot ju jetoni në Izrael, gazeta NY Times ka shkruar për largimin e Izraelitëve nga Shqipëria, si u pritën atje dhe konkretisht cili është interesimi i izraelitëve për Shqipërinë dhe ndërkohë veprimtaria juaj atje?
Une jetoj në qytetin Karmiel, në Galile, Veriu i Izraelit. Një qytezë me rreth 50.000 banorë, që siç e përmend kryetari ynë i Bashkisë ka që nga çerdhet deri universitet.
Sa për artikullin e “New York Times” po ju citoj një publikim të Ylli Polovinës: Gazetari i saj Henry Kamm duke iu referuar shkrimit të Tel-Micha Bar-Am në të përditshmen “Jerusalem Journal” me titullin “Hebrenj të gëzuar që vijnë nga një planet tjetër, Shqipëria, shkruan: Dr. Zino Matathia tha : “Ne shpresojmë që Shqipëria së shpejti do të bëhet demokraci…” Gazetari Henry Kamm i “New York Times”, gjithnjë duke iu referuar shkrimit të Tel-Micha Bar-Am në të përditshmen “Jerusalem Journal”, sa herë që e citon nënvizon se Zino Matathia është doktor. Pastaj i hap vend dukshëm fjalëve të tij se Shqipëria para Luftës së Dytë Botërore ka marrë refugjatë hebrenj nga Gjermania dhe Austria dhe i ka shpëtuar nga shfarosja fashiste. Këtë artikull “New York Times” e shoqëron me një foto, e cila ka në diçiturë fjalët “Dr. Zino Matathia, një kirurg që erdhi nga Shqipëria”.
Ka një mirënjohje personale, shumë e çmuar, ka mirënjohje kolektive, për një grup personash, gjithashtu shumë e çmuar, por ka dhe nje mirënjohje kombëtare të një kombi për një komb tjetër, kulmi i mirënjohjes, mirënjohja sublime. Une jam i sigurt se kjo lloj mirënjohjeje është tipike në Izrael: mirënjohja e jeudinjve për shqiptarët.
Të gjithë besoj se mendojnë si unë që: dashuria për atdheun është një vlerë, ky është, siç thoshte i ndjeri prof.Llambi Ziçishti :”Facto ipso”.
Shqiptarët janë një popull i veçantë, me shumë vlera, i ndriçuar, me kulturë qytetare, njerëz energjik, plot vitalitet, trima dhe luftëtarë, besnik, shumë besnik, janë dhe njerëz shumë të bukur, qe dinë të gëzojnë, të gëzojnë bukur dhe me finesë.
Janë një përzierje e bukur poetësh dhe luftëtarësh.
Shqiptarët flasin një gjuhë të pasur, elegante, që të përkëdhel shpirtin dhe veshin.
Osho thotë për dashurinë se nuk është lidhje, është të lidhesh, unë këtë e ndjej thellësisht kur bëhet fjalë për dashurinë për Atdheun.
26 Janar, 2014
Staten Island, New York
Nga: Albana M. Lifschin
Ditën e inagurimit presidencial, në 4 mars 1913 Udrou Uillson ishte një burrë i gjatë, i pashëm me një pamje të vendosur. Atë kohë ai ishte 56 vjeç. Kur familja Uillson hyri në Shtëpinë e Bardhë, ajo qe një familje e lumtur. Dy nga tre vajzat e tij u martuan gjatë asaj periudhe. Uillsoni ishte në formë të mirë dhe ende vazhdonte të mbante gjallë dëshirën për sportin e bejsbollit. Ai ka qënë i pari president që ndoqi serialin botëror të bejsbollit të vitit 1915.
Pas vdekjes se gruas se parë, një vit më pas, u martua me Edit Bolling Gat, një vejushë nga Uashingtoni. Kur plasi lufta e parë Botërore, presidenti Uillson duke shpresuar ta mbante Amerikën jashtë konfliktit lëshoi një deklaratë neutraliteti.
Lufta e paevitueshme
Presidenti Udrou Uillson e urrente luftën me gjithë shpirt dhe ishte i vendosur të ruante neutralitetin e Amerikës. Madje edhe pas mbytjes së Lusitanisë nga gjermanët, me afro 200 qytetarë amerikanë në bordin e saj, kur të gjitha gazetat amerikane ishin mbushur me thirrje për ndëshkim (luftë) ai përsëri u përmbajt. Presidenti i dërgoi disa mesazhe qeverisë se Kajzerit të mbushura me paralajmërime, duke kërkuar që anijet amerikane të lundronin kudo pa u prekur, në të kundërtën do priste marrëdhëniet diplomatike me Gjermaninë. Por ndërkohë që SHBA përpiqej të mbante neutralietitn, ambasada gjermane në Washington D. C. ishte kthyer në çerdhe spiunazhi e sabotatorësh. Ambasadori gjerman kishte në dorë 100 milion dollarë dhe i kërkonte leje qeverisë së vet të “blente ” kongresmenët amerikanë duke u dhënë nga 50 mijë dollarë secilit. Një nga agjentët e tij më të rëndësishëm ishte Franz von Papen që më pas ndihmoi Hitlerin për të ardhur në fuqi. Plani i tyre për të korruptuar kongresin amerikan dështoi, por rrjeti i tyre agjenturor e sabotator ishte i shpërndarë në tërë vëndin. Sabotatorët e përdorën Amerikën si një laborator ku eksperimentuan luftën bakterologjike. Kryetari i projektit ishte një gjermano- amerikan doktor në mjeksi me emrin Anton Degler, i cili u kishte ofruar vullnetarisht shërbimin e tij gjermaneve. Në shënjestër u vunë kuajt dhe mushkat që priteshin të ngarkoheshin në anije për aleatët. Anton Degler vizitoi të gjitha portet amerikane prej nga pritej të transportoheshin këto kafshë për Evropë dhe bëri të mundur infektimin e tyre. Sabotatorët ishin të specializuar në vendosjen e bombave. Objektet kryesore ishin portet, veçanërisht ai i Nju Jorkut.
Në mbrëmjen me shi të 2 Prillit 1917 presidenti amerikan, në limuzinën e tij shkonte drejt kapitolit, për të mbajtur fjalimin e tij historik në kongresin amerikan duke deklaruar se lufta qe bërë e paevitueshme, në emër të ruajtjes se paqes dhe demokracise në botë.
“Ne nuk kemi asnjë dëshirë për pushtim apo dominim.. nuk është gjë e lehtë të udhëheqësh këtë popull të madh e paqedashës në luftë..Por e drejta është më e çmueshme se paqja dhe ne duhet të luftojmë për ato gjëra që janë të shtrenjta për ne.. Sot ka ardhur dita që Amerika të derdh gjakun për parimet të cilat i dhanë asaj jetën, lumturinë dhe paqen që ajo ruan… Zoti e ndihmoftë!”
Në 6 prill 1917, Kongresi amerikan i shpalli luftë Gjermanisë.
SHKRUAN; PROF. ISMET JONUZI-KROSI
Xhevahiri shkollën fillore e kreu me sukses të shkëlqyer, prandaj mësuesi i sugjeroi Molla Vejselit që djalin ta dërgojë në shkollim të mëtutjeshëm, sepse djalin e kishte intelegjent dhe të talentuar. I sugjeroi ta regjistrojë në MEDRESENË E MADHE, të Mbretërisë Jugosllave në Shkup. Kështuqë, Molla Vejseli e regjistroi Xhevahirin në këtë shkollë.
Profesor Xhevahir Vejsel Shaqiri, ka lindur në fshatin Nerasht të Tetovës, më 23. 04. 1923, shkollën fillore katërvjeçare e kreu në vendlindje në gjuhën serbe, ndërsa shkollën fillore dhe të mesme e filloi në medresenë e Shkupit, por meqenëse kjo merese mbyllet, profeser Xhevahir Shaqiri shkollimin e ka vazhduar në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në vitin 1944. Ishte intelektuali i parë në rajonin prej Tetove deri në Kaçanik. Punoi mësues në Tetovë dhe shquhet për veprimtarinë e tij për arsimin shqip në këto anë, duke kontribouar për mposhtjen e analfabetizim dhe errësirës së arsimit që mbretëronte në trojet tona etnike.
Ishte njëri ndër iniciatorët e parë për hapjen e paraleleve me mësim në gjuhën shqipe në gjimnazin e Tetovës. Punoi 10 vjet në shkollën fillore “Liria” në Shkup. Gjatë kësaj periudhe studioi dhe diplomoi në Universitetin e Shkupit në fakultetin e gjuhës dhe letërsisë frënge. Pas diplomimit, punësohet si profesor i gjuhës frënge dhe latine në gjimnazin e Tetovës. Në vitin 1972, pranohet profesor i rregullt në Universitetin e Prishtinës, ku edhe punoi deri në pensionim. Gjatë kësaj kohe është marrë edhe me përkthime të literaturës frënge për nevojat e studentëve. Ka përpiluar dhe botuar librin “FJALOR EMRASH TË PËRKTHYER DHE TË KOMENTUAR NË GJUHËN SHQIPE”. Ndërsa, viteve të fundit ka botuar fjalorin “SHQIP-FRËNGJISHT”.
Përveç kontributit të tij në sferën e arsimit shqip, profesor Xhevahir Shaqiri ka dhënë kontribut të madh edhe në lëvizjen e çështjes kombëtare. Në atë kohë mjaft të vështirë politike, për të vepruar, pasiqë çdo intelektualë ndiqej nga OZN-ja famëkeqe. Në Tetovë u themelua Komiteti i NDSH-së. Në aktin e themelimit kanë marrë pjesë: Memet Bushi, Imer Balla, Hafës Hetem Tahiri, Esat Sulejmani e disa patriotë të tjerë. Anëtar i Komitetit Qëndror nga Tetova u emërua Jonuz Balla, i cili e ka anëtarësuar profesor Xhevahirin në këtë Organizatë. Profesor Xhevahiri në atë kohë ka qenë mësues i ri, por entuziazmi dhe dëshira e madhe për të kontribouar drejt çështjes kombëtare, e ka shtyrë profesorin që të ketë kontakte të pa ndërprerë me Jonuz Ballën dhe veprimtarë të tjerë. Profesor Xhevahir Shaqiri, aktivitetin e tij në NDSH e ka zhvilluar nëpër fshatrat e Tetovës për themelimin e nënkomiteteve të NDSH-së. Prandaj, duke pasur parasysh vizionin e tij në aspektin e arsimit dhe ngritjen e vetëdijes kombëtare në përgjithësi, ai deklaronte: ”Mbrojtja më e mirë i një kombi, është arsimimi i një populli”. Profesor Xhevahir Shaqiri për veprimtarinë atdhetare në Organizatën Nacional Demokratike Shqiptare, u dënua me tre vjet burg dhe pesë vjet heqje liri qytetare. Por, ky dënim nuk e mposhti profesorin. Ai vazhdoi me veprimtarinë e tij kombëtare.[1]
Profesor Xhevahiri edhe pse i përndjekur politikisht nuk e harroi familjen e tij. Ai arriti t’i shkollojë katër fëmijët e tij, të cilët mbaruan mjekësinë, drejtësinë dhe pedagogjinë. Prandaj, kontributi i tij vlerësohet me të madhe nga të gjithë veprimtarët e kombit, do të vlerësohet edhe në botën e amshueshme për veprat që ai ka lënë pas vetes. I qoftë i lehtë dheu i trojeve tona.
I lindur në fillim të shekullit XX kur Tetova me rrethinë ishte nën sundimin e Mbretërisë jugosllave në kilometrin e 17 të rrugës Tetovë-Jazhincë, në fushën e begatë të Pollogut ku shtrihet fshati Nerasht. Aty me 23. 04. 1923 u lind djali i pare i Molla Vejsel Shaqirit. I cili ishte njeri me virtyte të larta morale dhe patriotike, i nderuar dhe i respektuar në fshatin e tij dhe më gjerë. Ai ishte edhe hoxha i fshatit dhe bujk i vyer. Vlen të përmendet se kur i lindi djali i parë (Xhevahiri), ai ndodhej në arë si argat, duke punuar erdhi lajmi se i ka lindur djalë. Pronari i arës ku punonte atë ditë i thotë: Për hajër djali Molla Vejsel, paska lindur edhe një argat. Këto fjalë e prekin në sedër dhe u betua se djalin do ta shkollon. Si u betua ashtu edhe veproi. Djalin e regjistroi në shkollën pesëvjeçare në fshatin e lindjes. Në atë kohë mësohej në gjuhen serbe, prandaj ne vitin e pare mësohej vetëm gjuha serbe që nxënësit ta përvetësojnë mire këtë gjuhë e mëpastaj mësonin lëndët tjera. Duhet të kemi parasysh për këtë kohë sepse shumë pak fëmije e ndiqnin shkollën për shkak të prapambeturisë së madhe të popullatës dhe varfërisë së skajshme që mbretëronte në atë periudhë.
Hysni Abdullahu dhe Xhevahir Shaqiri ne gjimnazin e Prishtines
Xhevahiri shkollën fillore e kreu me sukses të shkëlqyer,prandaj mësuesi i sugjeroi Molla Vejselit që djalin ta dërgoj në shkollim të mëtutjeshëm, sepse djalin e kishte inteligjent dhe të talentuar. I sugjeroi ta regjistrojë në MEDRESEN E MADHE, të Mbretërisë Jugosllave në Shkup. Kështuqë Molla Vejseli e regjistroi Xhevahirin në këtë shkollë. Kur e kuptoi fshati se hoxha po e dërgon djalin në shkollë, filluan reagimet të llojit: Se do behet i pa fe ose do bëhet shka, etj. Mirëpo Molla Vejseli thoshte se më mire të bëhet shka me shkollë e pa kësulë, se sa ANALFABET e me kësulë. Xhevahiri i vogël sa s’fluturonte nga gëzimi, ai ishte bursist i Bashkësis Islame të Tetovës, do të thotë se shkollimin e kishte falas. Në vitin 1936 ai bëhet nxënës i Medreses në Shkup. Atje shkon bashkë me kushëririn e tij Hisni Abdullau nga fshati Sllatinë e Tetovës. Që të dy shpejt u adaptuan në këtë shkollë. Nga bisedat që tregonte nga ajo kohë thoshte se kjo periudhë e shkollimit të tij ka qenë shumë e rëndësishme sepse ai u formua si intelektual, përvetësoi disa gjuhë të huaja, disiplina dhe edukata që mori në Medrese atë e kaliti me plot kuptimin e fjalës dhe e bëri që akoma më shumë ta kupton rëndësinë e shkollimit. Medreseja e Madhe ishte shkollë 6 vjeçare dhe trajtohej si shkollë e mesme. Aty mësoheshin këto lëndë: Mësimi fetar, gjuha serbe, gjuha frënge, gj. gjermane, gj. latine, gj. arabe, gj. Turke, histori, gjeografi, dituri natyre, fizikë, matematikë, tradita islame, fillet e filozofisë, bukurshkrim, gjimnastikë, muzikë, vizatim, punëdore. Ditë pushimi ishte dita e premte. Kishte konvikt me ushqim,veshje. Mirëpo kur u bë klasa e gjashtë plasi lufta e dytë botërore Mbretëria kapitulloi, edhe kjo shkollë u mbyll, kështu që u detyruan ta braktisin Shkupin dhe ia mësyjnë në Shqipëri, sepse bullgari donte ti mobilizojë në ushtri. Atje u ndihmon shumë patrioti dhe atdhetari i shquar Shaip Kamberi. Nga Shqipëria shkon në Prishtinë për ta vazhduar klasën e 7 dhe 8 në Gjimnazin “Sami Frashëri”.
Në vitin shkollor 1943-44 përfundon me sukses të shkëlqyer gjimnazin dhe kthehet në vendlindje. Aty emërohet mësues në shkollën “Liria” Tetovë. Me që Tetova ishte nën administrimin e Shqipërisë, Ministria e Arsimit e Shqipërisë me një dekret të posaçëm emëron mësues dhe i shpërndan në tërë territorin e Tetovës. Kjo periudhë do të jetë lulëzimi i shkollimit të shqiptarëve të Maqedonisë sepse për here të parë hapen shkollat shqipe në tërë territorin e Tetovës me fshatrat për rreth. Kështu mësuesi i ri nga Tetova Xhevahiri u njoh me disa prej tyre dhe bashkë me ta e fillojnë luftën kundra analfabetizmit, duke punuar me nxënësit e rregullt para dite, pas dite me kursistet dhe natën me të rriturit. Frymëzuesit e tij ishin Jonuz Balla, Mahmut Dumani që të dy nga Elbasani. Përveç punës arsimore e edukative ai bashkë me shoket e tij u bë anëtar i NDSH (Nacional Demokratike Shqiptare), një organizatë atdhetare e cila luftonte për bashkimin e trojeve shqiptare. Mirëpo aktiviteti ilegal i saj u zbulua dhe në gusht të vitit 1946 u burgosën, Jonuz Balla, Mahmut Dumani, Xhevahir Shaqiri e shokët tjerë të NDSH. Me 24 mars 1947 në Tetovë zhvillohet gjyqi ushtarak i divizionit dhe grupin prej 7 anëtarësh i dënon me burgim të rëndë dhe kufizim i të drejtave qytetare dhe lirinë. Xhevahir Shaqiri u dënua me 3 vjet burg dhe dy vjet humbje të drejtave qytetare dhe politike.
Në atë kohë aktin e gjykimit e kanë përcjellë rinia shqiptare, veçanërisht nxënësit e gjimnazit të Tetovës, si rrëfen zotëri Halil Rufati nga f. Lisec, baba i dëshmorit të kombit Fadil Rufati: Si sot më kujtohet kur policia sllave e dërgonte në gjyq Xhevahirin me pranga në duar dhe ai qëndronte burrërisht kokëlartë, krenar dhe i pamposhtur. Qerpiku s’i dridhej fare! Dhe ne të rinjtë mburreshim se ka djem shqiptarë që i dalin zot vatanit.
Xhevahir Shaqiri, në vitin 1936, bëhet nxënës i Medresesë në Shkup
Kur del nga burgu menjëherë e dërgojnë në ushtri. Si i dënuar politik me një dosje si terrorist, nacionalist kundër sistemit komunist Jugosllav. Ushtria ishte burgu akoma më i rëndë se i pari, sepse kazerma ushtarake ku ai shërbeu ishte si kamp përqendrimi sepse aty i dërgonin zakonisht të burgosurit politik. Pasi u kthye nga Zagrebi, nga shërbimi ushtarak i shkatërruar fizikisht, por i kalitur me moral akoma më të lartë . Pas shumë peripecive administrative e burokratike dhe biografinë që kishte, më në fund emërohet mësues në shkollën fillore “Liria” në Shkup. Aty për shkak të mungesës së kuadrit jep disa lëndë. Krahas punës si mësues regjistrohet në fakultetin filozofik dega e gjuhës frënge të cilin e kreu me sukses. Aty punon prej vitit 1949 deri më 1958 me përkushtim dhe vullnet të lartë për arsimimin dhe edukimin e brezave të rinj. Bën propagandë për përfshirjen e sa më shumë nxënës e nxënëse shqiptarë. Me punën e tij të palodhur si pedagog dhe koleg në këtë shkollë për kontributin që dha në arsimimin dhe edukimin e shumë gjeneratave u shpërblye me mirënjohje. Pas kësaj ai emërohet profesor i gjuhës frënge në gjimnazin “Kiril Pejçinoviq” në Tetovë. Tani fillon beteja akoma më e madhe për profesorin e ri, sepse popullata shqiptare akoma në prapambeturi të skajshme, nuk i dërgonte fëmijët e vet të vazhdojnë shkollimin e mesëm. Kjo ishte edhe synimi i tij që të bind sa më shumë prind që ti dërgojnë fëmijët e tyre në këtë shkollë. Kështu që nga një paralele në gjuhën shqipe dhe 5 maqedone, çdo vit shtoheshin nga 2 e më tepër paralele me mësim në gjuhen shqipe. Me angazhimin e palodhur me kolegët, drejtorin dhe me Komunën arriti ta rris numrin e paraleleve. Sukses më të madh ai e konsideronte përfshirjen e femrave në këtë shkollë. Falë këmbënguljes së tij dhe autoritetit që kishte në kolektiv dhe në popull, gjimnazi i Tetovës në atë kohë u bë çerdhe e shkollimit të djemve e vajzave nga të gjitha qytetet e fshatrat të banuara me shqiptarë në Maqedoni. Ai në këtë gjimnaz emërohet tre mandate zëvendës drejtor dhe ka qenë si këshilltar komunal, por pasi bie Rankoviqi. aty mbetet deri në vitin 1972. Për punën e pa lodhur dhe suksesin e lartë që tregoi në këtë gjimnaz u shpërblye me mirënjohje dhe me shpërblim me të holla. Më pastaj braktis Tetovën sepse emërohet ligjërues në fakultetin e ekonomisë të Universitetit të Prishtinës. Aty mbetet deri në pension.
Protesta para Komunës së Tetovës, me rastin e thamelimit të Universitetit të Tetovës më 17.12. 1994, në Sali Ramadan Kërçova, Nevzat Halili, Hysni Shaqiri, Xhevahir Shaqiri…
Pasioni i tij për punë dhe arsimimin e brezave të rinj edhe këtu nuk u ndal, ai ishte urë lidhëse me studentët shqiptar nga Maqedonia të cilëve u ndihmonte në forma të ndryshme që të regjistrohen dhe të vazhdojnë studimet me sukses. Shumë gjenerata kanë kaluar nëpër duart e tij dhe gjithmonë thoshte këto janë shpresa jonë sepse vetëm shkollimi do të na shpie drejt emancipimit dhe bashkimit. Në vitin 1989 kur Kosova u okupua nga Millosheviqi filluan ndjekjet dhe persekutimet në baza nacionale,bëheshin diferencimet e intelektualëve, burgoseshin i nxjerrin nga puna edhe prof. e kapi ky diferencim dhe nxorën para kohe në pension. Ai në vitin 1981, kur u bën demonstratat e mëdha studentore ai i përkrahu, edhe pse në moshë doli bashkë me studentët në demonstrate. Një koleg i tij e kap për krahu që ta ndalon t’ju bashkohet studentëve në demonstrate, duke i thënë se mund të vritej nga policia serbe. Ai ia largon dorën dhe i thotë: Si?! Pasi t`më vriten studentët e mi ç`më duhet jeta ime. (Këtë ndodhi e dëshmojnë shumë studentë që e kanë përjetuar ngjarjen, si Fazli Veliu, Ali Ameti nga Kërçova etj. )
Pas okupimit të Kosovë dhe shqiptarët filluan ta ngrenë zërin kundra padrejtësive që i bëheshin popullit të Kosovës ,u themelua sistemi paralel në arsim, shëndetësi. Filloi një aparhejd i paparë nga Serbia. Burgosje, përndjekje ndaj elitës intelektuale.
Nga deputetë e kuvendit të Kosovës, KOSOVA u shpall REPUBLIKE. Tanimë çdo përpjekje e shqiptarëve ishte drejt kërkesës se Kosovarët e meritojnë Republikën e tyre si gjithë popujt tjerë të ish Jugosllavisë. Mirëpo e gjithë kjo mohohej nga Serbia në krye me Millosheviqin. Studentët e Universitetit të Prishtinës u përzunë nga objektet e tyre dhe u detyruan të mësojnë nëpër shkollat SHTEPI. Edhe këtu erdhi në shprehje humaniteti dhe dashuria ndaj arsimimit të të rinjve nga ana e prof. Xhevahirit dhe pa hezitim ai pranoi të ligjëroj në shkollat shtëpi deri në ditën e çlirimit të Kosovës.
Një tjetër fakt që tregon dashurinë e madhe që kishte për Kosovën ishte se gjatë bombardimeve të NATOS ai bashkë me bashkëshorten e tij nuk e braktisi Kosovën, por qëndroi deri në fund të luftës në Prishtinë. Kur e pyetnim pse se braktise Kosovën si gjithë të tjerët, ai thoshte: Desha ta shoh dhe ta përjetoj largimin e ushtrisë serbe nga Kosova. Kjo ka qenë lufta ime, ideali im që luftova gjithë ato vite të rinisë sime dhe jetës sime edhe nëse vdes do shkoj i qetë.
Profesor Xhevahir Shaqiri, edhe në moshë të thyer do të angazhohet në nismën e intelektualëve shqiptarë për themelimin e Universitetit të Tetovës në vjeshtën e vitit 1993 në sallën e Komunës së Tetovës, si dhe do t’i bashkohet rinisë shqiptare edhe në protestat e organizuara para objektit të komunës së Tetovës gjë që e dëshmon edhe kjo fotografi.
Veprimtari e prof. Xhevahirit nuk ishte e përqendruar vetëm në procesin edukativ arsimor, por ai merrej edhe me shkrime, përkthime, recension, dhe vepra e tij më voluminoze ishte Fjalori Shqip-Frëngjisht në të cilin punoi mbi 20 vjet. Në kohen e komunizmit e refuzuan disa herë botimin e tij, shkaku biografia e tij irredentiste e nacionaliste që e ndoqi tërë jetën jo vetëm atë por edhe familjen e tij. Kjo vepër pa dritën e botimit në vitin 2005, nga shtëpia botuese Tringa Desing. Përveç këtij fjalori, ai përktheu edhe veprën Emili të Zhan Zhak Rusos nga frëngjishtja ne shqip. Ishte përkrahës fanatik ndaj emërimit të porsalindurve me emra shqip. Që ta bind popullatën se me emërimin e fëmijëve me emra arab, turk, sllav,anglez, gjerman, etj. vetëm e zhduk identitetin shqiptar, ai botoi Fjalor emrash të përkthyer dhe të komentuar në gjuhën shqipe. Ai mendonte se me këtë fjalor do të ndërgjegjësoheshin së paku” intelektualët” dhe të mendohen se çfarë kuptimi ka ai emër nga arabishtja, turqishtja në shqip e pastaj ta emërtojë fëmijën e vet.
Vitet fundit të jetës së tij, u kthye në vendlindjen e dashur në Tetovë, ku i kaloi çastet e fundit të jetës, ku edhe ndërroi jetë më 9 Mars 2007. U varros me nderime më të larta nga bashkëqytetarët, nxënësit dhe studentët e tij. Tani prehet i qetë në varrezat e qytetit të Tetovës.[1]
[1] Të dhënat ia ka afruar autorit Qemal Halili dhe bija e prof. Xhevahir Shaqirit, Drita Halili, më 18. 06. 2009
[1] Lidhja e Historianëve Shqiptarë në Maqedoni-Dega-Tetovë, referat i lexuar nga prof. Dr. Vebi Xhemaili më 10. 03. 2007 në ditën e varrimit në varrezat e qytetit të Tetovës
SHKRUAN: PROF ISMET JONUZI-KROSI
DR. XHAFER SULEJMANI (1878-1953)
Gjendemi në dhjetëvjeçarin e mileniumit të tretë, në kohën kur bëjmë bilancet për ata që me veprat dhe punët e tyre bënë që njeriu të pasurohet me vlera të reja humane. Pra, gjatë periudhave dalin në sipërfaqe të vërtetë që të gjithë ata veprimtarë të kombit që me punën e vet të palodhshme, me intelektin dhe talentin e pashoq, me bujarinë dhe humanizmin e pashuar kanë hedhur nga një gur të shëndoshë në bazamentin e piramidës së njerëzimit. Ne, pasardhësit e tyre, nuk duhet të lejojmë që ata t’i mbulojë pluhuri i harresës.
Njerëzit si doktor Xhafer Sulejmani[1], me punën e palodhshme dhe sakrificat e bëra, pa dyshim ngelin në kronikën e historisë së kësaj ane. Të gjitha personalitetet që kontribuan për të mirën tonë, qofshin ata dijetarë, publicistë, arsimtarë, sportistë apo mjekë që me punën e tyre nderuan emrin e kombit, ne duhet t’i çmojmë dhe t’i përkujtojmë me respekt të thellë, me qëllim që pasardhësit tanë ta ndiejnë lumturinë e prejardhjes së vet. Shumë kolosë të tillë janë hedhur në harresë, jo për shkak të neglizhencës sonë. Pra, është detyrë imediate e kësaj gjenerate, që këtyre njerëzve t’u ripërcaktohen vlerat në faqen e historisë.
Fundi i mijëvjeçarit të dytë për shqiptarët, është një mburrje e veçanti. Nga gurra e pashterur e këtij populli doli Gonxhe Bojaxhiu, Nënë Tereza, një shenjtore para së cilës bota ra në gjunjë, një shqiptar tjetër që nderoi këtë popull, është edhe dr. Ferit Murati, novelisti ynë. Pra, nga një trevë fare e ngushtë, u skalitën në kujtesën njerëzore dy personalitete të shënuara. Shkëlqyen yjet ndërkombëtare, dëshmitarë të denjë të shpirtit tonë krijues.
DR. XHAFER SULEJMANI NË MESIN E GJENERALIT SERB DHE PËRFAQËSUESIT TË KRYQIT TË KUQ NË LUFTËN E PARË BOTËRORE
SHËNIME BIOGRAFIKE
Mjeku i madh dhe i respektuar, doktor Xhafer Sulejmani, lindi në një fshat të Skraparit në vitin 1878, në kohën kur mbahej Lidhja e Parë e Prizrenit, për pavarësinë e popullit shqiptar. Doli nga një familje patriotike, bujare, arsimdashëse dhe shumë e respektuar.
Shkollohet në Stamboll dhe, pasi kryen shkollën e mesme, regjistrohet në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Stambollit, i cili u themelua nga një shqiptar tjetër me mërin Hoxhë Hasan Tahsini.
Doktor Xhafer Sulejmani, u diplomua në vitin 1905, në mjekësi. Zotëronte gjuhët; frënge, turqishten dhe greqishten. Studimet pasuniversitare i kreu në Universitetin e Sorbonës në Francë.
Pas diplomimit kthehet në vendlindje. Praktikën dyvjeçare mjekësore e kreu në Janinë, asokohe qendër kulturore, tregtare dhe administrative. Pasi martohet me një vajzë nga Përmeti me emrin Safije, nga një familje shumë bujare, vjen në Gostivar dhe një kohë të shkurtër e ushtron profesionin e vet në këtë qytet. Ndërsa, në vitin 1908, vendoset në qytetin e Tetovës, ku mbeti deri në fund të jetës.
Në Tetovë punoi si mjek i parë i diplomuar. E theksojmë këtë sepse në këtë qytet para tij nuk ka pasur mjek të këtij rangu. Shtëpia në të cilën vendoset me familjen e vet dhe në të cilën i lindën 6 fëmijë, akoma sot e kësaj dite është e banuar prej paraardhësve të tij.
Në kohën e luftërave ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore, mobilizohet nga ushtria si mjek dhe zihet rob nga armiku. Pas lirimit, sërish vazhdon me profesionin e vet. Në vitin 1922, emërohet si mjek honorar në gjimnazin e Tetovës.
Në Tetovë, doktor Xhafer Sulejmani krijoi shumë miq dhe nderohet si qytetar i parë. Merr pjesë në parinë e Tetovës në shumë shoqëri bamirëse si janë ; “Merhameti”, “Gajreti”, e të tjera.
Si qytetar i respektuar, e ftonin në zgjidhjen e shumë kontesteve familjare në qytet. Fjala e tij ishte fjala e fundit. Si mjek e kanë shquar shumë virtyte: humanizmi, bujaria, përgatitja e lartë profesionale dhe çiltërsia me të sëmurit. Edhe pse nuk ka pasur mjete ndihmëse të përsosura mjekësore, ai me intuitën e vet, përvojën dhe shkathtësinë, ka dhënë maksimumin në shërbimin e të sëmurëve.
Gëzonte dashuri të jashtëzakonshme si kozmopolit. Mbarë popullata e kësaj treve, pavarësisht nga përkatësia kombëtare e fetare, e ka çmuar dhe dashur atë si mikun e vet më të ngushtë.
Jetën e tij e përcjellin shumë fatkeqësi. Në vitin 1926, papritmas i vdes djali i madh Reshati në moshë 16 vjeçare. Ky pikëllim i ka tronditur të gjithë qytetarët e Tetovës meqë humbjen e tij e përjetuan si të veten. Në vitin 1927, zgjidhet deputet dhe, në këtë post qëndron deri në vitin 1931. Më 1932, emërohet senator dhe në këtë post do të qëndrojë deri në vitin 1941.
Në këtë kohë familjen e tij e godet edhe një fatkeqësi tjetër, e bija Zehra, e martuar me sekretarin e Ambasadës Turke në Beograd, Fehmi Beun me prejardhje nga Shtipi, më 6 prill 1941, me dy fëmijët e saj humb jetën gjatë bombardimit të Beogradit. Edhe kjo ngjarje e hidhur e tronditi tërë qytetin e Tetovës.
PARIA E TETOVËS NË KOHËN E MBRETËRISË JUGOSLLAVE (1935)
Menjëherë pas ardhjes së trupave italiane në këto treva, përkatësisht të Shqipërisë Etnike, doktor Xhafer Sulejmani nga autoritet e Qeverisë shqiptare emërohet si kryetar i Bashkisë së Tetovës. Ishte kjo kohë në të cilën administrata zhvillohej në gjuhën shqipe. Në këtë detyrë, ai mbetet deri në vitin 1943. Edhe gjatë kësaj kohe, ai tregoi vullnet të madh si për mirëqenien e popullit ashtu edhe për mbrojtjen e dinjitetit të tij. Tetovarët patën fatin që për kryetar bashkie të ketë një njeri të qytetëruar, intelektual të nderuar, i cili me mençuri diti ta ushtrojë këtë detyrë për të mirën e të gjithë qytetarëve.
njeri që dinte vlerën e arsimit, doktor Xhafer Sulejmani, u angazhua për kompletimin e shkollave në gjuhën shqipe me mësues nga Shqipëria, gjë që ndikoi në zgjimin e ndjenjës kombëtare e arsimore të popullit në këto treva.
Ndoshta, s’do të gabonim po ta pohonim se, kjo ishte një nga periudhat më të arta të arsimit në gjuhën shqipe. Me meritën e tij, shpëtoi nga shkatërrimi objekti kulturor-fetar dhe bektashian Teqeja Arabati Baba. Me angazhimin e tij, erdhi Baba Qazim Bakalli dhe vazhdoi traditën e këtij objekti kulturor-fetar.
GJYKIMI-FARSË E MONTUAR NGA SLLAVOKOMUNISTËT
Sa i madh ishte kujdesi i tij për arsimin në gjuhën shqipe, tregon fakti se me angazhimin e tij personal, doktor Xhafer Sulejmani ua mundësoi nxënësve nga Tetova që të shkollohen në gjimnazin e Prishtinës dhe, lirisht ta kalonin kufirin bullgar-shqiptar në Grupçin. Shpeshherë, nxënësit materialisht të varfër , ndihmoheshin personalisht me mjetet e tij financiare. Në vitin 1944, pas ardhjes së partizanëve, doktor Xhaferi privohet nga liria si shumë intelektualë e atdhetarë dhe e dënojnë me 18 muaj burgim. Në mungesë të mjekëve në atë kohë, ai lirohet me kusht dhe punon në spitalin e atëhershëm që gjendej në qendrën e kadastrës së mëvonshme. Në vitin 1946, sërish burgoset edhe pse ishte në moshën 68 vjeçare dhe kësaj here e dënojnë me 6 vjet burg, dënim të cilin e vuajti në burgun e Shkupit dhe të Idrizovës. Lirisht mund të themi se, gjykimi i tij ka qenë një farsë e montuar sipas recetave të njohura komuniste. Gjatë mbajtjes së gjykimit, doktor Xhaferi Majti qëndrim burrëror, duke i hedhur poshtë të gjitha akuzat. Të vetmit dëshmitarë kundër tij ishin Dushan Tërpevski dhe Sllavka Jovanovska.
Në burgun e Idrizovës punoi si mjek, por edhe nga kjo detyrë largohet meqë nuk pranon t’u nënshtrohet urdhrave të eprorëve të burgut e të bëjë dallime në mes të burgosurve. Ai, ka qenë i nderuar edhe prej popullatës maqedonase të kësaj ane. Më 1950, pas 4 vjet burgimi, në moshën 72 vjeçare, për shkak të shëndetit të lig, lirohet nga burgu kur i kishte vdekur edhe gruaja. Tre vjet më vonë, respektivisht në vitin 1953, doktor Xhafer Sulejmani ndërroi jetë. U varros në varrezat e qytetit me nderimet më të larta nga bashkëqytetarët e tij.
[1] /Gazeta REPUBLIKA, E diel, 25 Qershor 2000, SPECIALE, shkruan Prim. Dr. Rifat Palloshi: “DR. XHAFER SULEJMANI, MJEKU NGA SKRAPARI, KRYETARI I PARË SHQIPTAR I BASHKISË SË TETOVËS”/.
/Material i shkëputur nga libri i prof Ismet Jonuzi-Krosi “Golgota shqiptare dhe 40 vjtori i demonstratave te Flamurit”-2007, pjesa e dyte dhe e trete 1952-1963 dhe 1963-1970
Ndërmjet pjesëmarrësve nga 54 shtete, me punimin e paraqitur zuri vendin e dytë)
Nga: Prof. Murat Gecaj
publicist e studiues-Tiranë
1.
Siç është e njohur nga të gjithë, veçanërisht gjyshërit janë mjaft të ndjeshëm ndaj nipave e mbesave të tyre. Kjo gjë e gjen shprehjen e vet jo vetëm me dashurinë e pakufishme, por dhe me përkujdesjen e veçantë ndaj tyre, që ata të rriten sa më të shëndetshëm e të bukur, të ditur e të edukuar etj. Dëshmi për këtë gjë jam edhe unë, shkruesi i këtyre radhëve. Para afër 2 vjetëve, kur mbesa ime, nga vajza, mbushi 9-vjet, i bëra asaj një dhuratë të veçantë. Pra, shkrova e publikova librin publicistik-letrar, me emrin e saj, “Dorela” (Tiranë, 2012). Megjithëse nuk është aq modeste ta them, me sa di unë, u bëra kështu gjyshi i parë në literaturën shqipe, që boton libër të posaçëm, për mbesën ose nipin e vet.
Kësaj ndjesie njerëzore i është bashkuar tani edhe kolegia e mikja ime e viteve universitare dhe e jetës, arsimtarja veterane Violeta Kadzadej (Librazhdi), me banim në kryeqytetin Tiranë. Pa e zgjatur, ju tregoj se këto ditë, kur po flisnim bashkë në telefon, ajo më tregoi me gëzim për një arritje shumë të bukur të nipit të saj, vogëlushit 3-vjeçar, Endri Zavalani.
Për ta bërë sa më konkrete këtë gjë, u lidha me prindërit e Endrit, Orion e Brikena Zavalani. Sipas kërkesës, shkurtimisht, ata u përgjigjën në pyetjet e bëra, të cilat po i botojmë më poshtë.
2.
-Dëshirojmë të dimë, konkretisht, se si u njohët me një konkurs të tillë botëror, kushtuar fluturimeve kozmike?
-Nëpërmjet Internetit… Ne dëshironim t’i publikonim disa nga punimet e fëmijeve tanë aty, pasi mendonim që, në këtë mënyrë, do t’i nxisnim ata më tepër në punën e tyre krijuese. Për këtë arsye, kërkuam për ndonje website, në Internet, i cili e ofronte këtë mundësi. Dhe gjetem një website mjaft interesant dhe të kushtuar për punimet artistike të fëmijeve: www.artsonia.com - muzeu më i madh virtual në botë, për punimet artistike të fëmijëve. Në këtë website mësuam se Fondacioni Ndërkombëtar për Hapësiren Kozmike (“Space Foundation International”), me qendwr nw Colorado Springs-USA, organizote një konkurs të veçantë, me vepra arti të fëmijeve nga e gjithë bota, me temë : “Anija ime hapesinore, duket si … – My Spaceship Looks Like…”..
-Pasi fëmijët tuaj, Endri e Nersa iu përkushtuan punës për të përgatitur punimet e tyre, sigurisht nën mbikqyrjen e ju prindërve, kur i derguat ato për t’i parë juria përkatëse?
-Punimet ne i nisëm, gjithashtu, përmes Internetit, në muajin nëntor 2013. Për kërshërinë e lexuesve, po i bashkëngjesim, si punimin e përgatitur nga Endri, por dhe nga e motra, pak më e madhe se ai, Nersa 5-vjecare.
Përpara realizimit të këtyre punimeve, fëmijet u njohën më nga afër me hapësiren kozmike, planetet dhe anijet kozmike, nepermjet materialeve të shumta viztimore dhe filmave vizatimorë për fëmijë, që qarkullojnë në Internet.
Siç kuptohet lehtë, ky konkurs ishte një sfidë për të gjithë fëmijët pjesëmarrës, nga mbarë bota. Sepse ata do të projektonin ose vizatonin, në mënyrë origjinale dhe artistike, anijen hapësinore, sipas ëndrrave të tyre.
Endri dhe motra e tij, Nersa, pasi i përgatitën me shumë kujdes, i futën punimet e tyre në ëebsitin ëëë.artsonia.com, në muajin nëntor 2013, pra brenda afatit, që ishte përcaktuar nga organizatorët. Siç shihet edhe në fotot e botuara këtu, punimi i Endrit ishte fare i thjeshtë, modeluar me boça pishe e gjethe. Ndërsa në punimin e saj, Nersa përdori kërpudha, geshtenja të egra dhe fruta të tjera të pyllit, për t’i modeluar planetet, trupat qiellorë dhe hapësirën. Këta element, fëmijët i mblodhen
me kujdes, në Parkun e Madh të Tiranës se bashku me ne, prinderit e tyre.
-Kur dhe ku u organizua një konkurs i tillë për fëmijët e botës?
-Çdo vit, që nga 2011-ta, Fondacioni Ndërkombëtar për Hapësiren Kozmike ne USA, organizon një konkurs të veçantë, me vepra arti të fëmijeve nga e gjithë bota. Këta janë të moshave nga 3 e deri në 18 vjeç. Konkursi emërtohet: “Space Foundation International Student Art Contest”. Konkursi në fjalë, ishte i hapur prej 23 gushtit dhe deri më 15 nëntor 2013.
-Po më tej, si u veprua?
-Në konkurs, siç jemi të informuar, moren pjese mbi 7.100 fëmijë me punime te ndryshme, nga 54 shtete.
Dhe ja, erdhi dita e shumëpritur, pra ajo e vlerësimit të atyre punimeve, gjë që ishte mjaft emocionuese, si për vetë fëmijët pjesëmarrës, por dhe për prindërit e gjyshërit e tyre. Kështu, në muajin janar 2014, një panel i përbërë nga gjyqtarë ndërkombetarë, i vleresoi të gjitha punimet e paraqitura.
Juria dha nga tre çmime, për çdo grup-moshë: 3-4 vjeç, 5-6 vjeç, 7-8 vjeç, 9-10 vjeç, 11-12 vjeç, 13-14 vjeç, 15-16 vjeç e 17-18 vjeç. Gjithësej, u dhanë 24 çmime. Endri Zavalani u vlerësua për punimin e paraqitur, me çmimin e dytë, në grup-moshën e tij (3-4 vjeç). Sigurisht, megjithëse ende është i vogël, ai u gëzua shumë, për këtë vlerësim të merituar. Vendin e parë, në atë grup-moshë, e zuri Armeen Jafry (Bangladesh) dhe vendin e tretë, C.Aisvarya (Indi).
Për punimin e Endrit është folur edhe në një koment shtypi ne ëëë.neës.tes.co.uk. Në një shkrim, nga Sarah Cunnan, thuhet se midis fituesve ishte edhe Endri Zavalani, nga Shqipëria, i cili e ka realizuar anijën e tij kozmike vetëm me anën e boçave të pishës dhe gjetheve. (Teksti anglisht: … Endri Zavalani, a homeschooled child from Albania, … won second prize in the ages 3-4 category for the picture of a spaceship he created entirely from pinecones and other foliage).
-Si dhe kur u njohët me vendimin e jurisë? Me sa dimë, keni edhe një ftesë për të marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së dëshmive përkatëse, për fëmijët fitues…
-Ne e morëm njoftimin, për vlerësimin e punimit të Endrit, më 15 janar 2014. Ai na erdhi nëpërmjet një e-mail-i zyrtar, dërguar nga “Space Foundation International”.
Sipas rregullit të konkursit, na u konfirmua se Endrit, fitues i vendit të dytë në grup-moshën e tij, do t’i jepet: një çertifikatë, një medalje, një çmim dhe një autograph i personalizuar, lëshuar nga një austronaut.
Punimet fituese publikohen, on line, në Galerinë e Fondacionit Ndërkombëtar për Hapësirën Kozmike, në mënyrë të vijueshme (ato do të arkivohen), si dhe në ëebsitin e Astorias (ëëë.artsonia.com), qe siç e thamë edhe më lart, është muzeu më i madh virtual i punimeve artistike të fëmijëve në botë.
Gjithashtu, në kuadrin e Simpoziumit të 30-të të Hapësirës Kozmike - 30th Space Symposium, që sivjet do të mbahet nga 19-22 maj 2014, në “The Broadmoor Hotel”, në Colorado Springs- USA, punimet e fëmijëve fitues do të ekspozohen në mjediset e asaj conference. Ato do të shihen nga të pranishmit, që parashikohet të jenë mbi 9.000 vete, nga e gjithë bota (studiues të hapësirës, austronautë, pilotë, ushtarakë, shtetarë, prodhues, etj.). Fëmijët e punimeve fituese janë ftuar që të marrin pjesë në një tur, në sallën e ekspozitave të Simpoziumit, në “Boeing Exhibit Center”. Aty, pritet të takohen me ish-austronautin e NASA-s, Dr. Leroy Chiao, i cili është edhe këshilltari special i Fondacionit Ndërkombëtar për Hapësirën Kozmike, për çështjet e fluturimeve njerëzore në hapësirë.
-Mendojmë se është me interes për lexuesit, që të dinë diçka më shumë për këtë Fondacion…
-Ai u themelua në vitin 1983 dhe është një organizatë jofitimprurëse, lider botëror në organizimin e veprimtarive njohëse për hapësiren kozmike dhe të programeve të edukimit shkollor, të cilat e afrojne kozmosin tek nxënësit e studentët, në mbarë botën. Fondacioni është, gjithashtu, edhe një nga organizatorët e veprimtarive më të mëdha të industrisë së aviacionit dhe hapësirës kozmike, ku përfshihet edhe simpozumi vjetor për hapësirën kozmike (“Space Symposium”) që sivjet ka edicionin e 30-të.
Fondacioni në fjalë publikon çdo vit një guide, që është me rëndësi për të kuptuar zhvillimin e veprimtarive për hapësirën kozmike në shkallë botërore. Nëpërmjet dy programeve të tij, “Certifikimi i hapësirës – Space Certification” dhe “Holli i famës për teknologjitë – Technology Hall of Fame”, Fondacioni, përuron në vijueshmëri, ato teknologji dhe inovacione kushtuar hapësirës kozmike, por që janë përshtatur edhe për ta përmirësuar jetën e njerezve në tokë.
Ky Fondacion publikon edhe gazeten “Space ëatch”(“Vezhgim mbi hapësirën”).
Kush dëshiron, mund të informohet më hollësisht në Internet, te: http://www.spacefoundation.org ose ne Facebook, Linkedin,Pinterest dhe Twitter.
Punimet e konkursit janë të arkivuara tek website-i: www.artsonia.com, ndërsa emrat e fituesve janë publikuar në: http://www.spacefoundation.org/media/press-releases/space-foundation-announces-2014-international-student-art-contest-winners.
-Ju falënderojmë për këto informacione kaq interesante dhe ju urojmë nga zemra e shprehim kënaqësinë tonë për çmimin ndërkombëtar, që ka fituar me punimin e tij të bukur, vogëlushi juaj 4-vjeçar, Endri Orion Zavalani! Me talentin e tij të rrallë, ai bëri që kështu. Megjithëse në një mosha kaq të vogël, me talentin e tij, ai bëri që kështu ta lartësojë, sadopak, emrin e Atdheut tonë në botë.
Tiranë, 8 shkurt 2014
Përkujtim i paharruar, kushtuar: VAÇE ZELËS ARTISTE JONA ZËËMBËL-ZËMADHE
E Përkujton me rastin e shuarjes, Qerim Pllana-Toplica me familje
*E nderuara Vaçe, vështirë të besojmë dhe të pranojmë lamtumirën e fundit, përderisa dëgjojmë tingujt e këngëve tuaja më të hareshme. Jo, ju kurrë s`do të vdisni, ne të na leni me atë mall dhe nostalgji të dhjeta festivaleve, po aq fitoreve, të këngëve më të bukur shqiptare, që aq bukur ua thoshe!U ngritëm dhe u rritëm me zërin tënd qe buçiste në çdo palestër, çdo festival e çdo festë kombëtare. Ja vjersha të cilën ua kam kushtuar:
O zëëmbël zë përendeshe Zëri i saj kumbues kulti Vashë bionde myzeqare
Këngët tuaja të qëndisura Me stinë vite seç jehonte Seç na ndeze na nderove
Me atë dritësim drithërim Mbi kala shqipe Majë Zëri yt tundi fusha male
Për atdhe vasha djalërinë Mali seç fluturonte Përtej detesh seç jehonte
Nëpër palestra kur jehonte
Autori Qerim Pllana-Toplica, e premte 7 shkurt 2014
Krujë-Tiranë; 1972-1992, Prishtinë, Aeroporti “Adem Jashari” 7. shkurt. 2014
* E nderuara Familje Zela, i nderuari Hysni, pranoni ngushëllimet tona më të sinqerta për artisten tuaj dhe tonën, më të madhën hyjneshë të zërit brilant dhe kurrë të harruar! Ajo u shua, por zëri i saj mbetet i pavdekshëm në trojet dhe Shqipërinë tonë Natyrore. Vaçja ishte vërtetë një yll i pashuar. Ajo për ne jashtë Shqipërisë Londineze ishte dritë dhe hare që na bënte që të duam atdheun tonë të tërin. Vaçe e ndjerë, e madhërishme dhe kurrë e harruar, do të jetojmë me zërin tënd që me dekada na ke dhuruar. Dheun e atdheut e paç të lehtë. U prehsh në botë me lule-qiellin e përjetësisë!
-Nderim për zërin himn dhe ujëvarë mali, të Vaçe Zelës-
Nga: Murat Gecaj
1.
Ndjesi trishtimi e hidhërimi përjetuam të gjithë këto ditë, kur morëm vesh lajmin e ndarjes përgjithnjë nga jeta të këngëtares së shquar dhe të paharruar, Vaçe Zela, nderuar me titujt me të lartë, “Artiste e Popullit” dhe “Nderi i Kombit”. Është e natyrshme për secilin, që e ka njohur, tani të risjellë në kujtesë mbresat e takimeve me të.
Me detyrën e gazetarit, në shtypin e kohës, kam patur kënaqësinë dhe nderin ta njoh e ta takoj edhe unë këngëtaren lushnjare, por që shpejt u bë e tërë Shqipërisë e Kombit tonë, Vaçe Zelën. Natyrshëm, kur një njeri ndahet nga jeta, fliten e shprehen fjalë të mira për të. Por, në rastin konkret, nuk mjaftojnë fjalët e Fjalorit të Shqipes, për të evidentuar cilësitë e larta morale e njerëzore të Vaçes sonë, si: dashmirësinë e zemërgjerësinë, thjeshtësinë e sinqeritetin, karakterin e fortë dhe shpirtin e butë njerëzor, zemrën e madhe të saj, pa përmendur këtu talentin brilant të zërit të saj, që ia dhuroi Zoti e diti ta shfaqë, me aq profesionalizëm, në skenat shqiptare, por dhe në ato jashtë Atdheut.
E kam ndjekur shpesh atë në koncertet e ndryshme, me kitaren në dorë, që nga ato në sallat e ndryshme dhe deri te festivalet në RTSH-së. E, kurdoherë, kam ndjerë se sa i bukur ishte zëri i saj, him dhe ujëvarë mali, i cili jehonte fuqishëm në këngët për Shqipërinë dhe në ato me tematikë familjare ose shoqërore etj. Ashtu si të gjithë dëgjuesit e shikuesit tjerë, jam emocionuar pa masë, kur ajo këndoi me zërin e saj aq melodioz, këngën “Fëmija i parë”, ndjekur pastaj nga këngët me theks të dallueshëm atdhetar, “Gonxhe në pemën e lirisë”, “Nëno, moj, do pres gërshetin”, “Shoqet tona ilegale”, “Valsi i lumturisë” etj.etj.
2.
Rasti e ka sjellë që i kam vizituar disa herë trojet shqiptare të Ballkanit, si Shkupin, Preshevën, Prishtinën e Ulqinin. Kudo emri i nderuar i Vaçe Zelës ishte i pranishëm dhe shumë i respektuar. Në një udhëtim, me disa kolegë të Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare, më qendër në Tiranë, bashkë me poetët e shkrimtarët Zyba Hysa, Namik Selmani e Shefqete Goslaci, bëmë një vizitë në shtëpinë e këngëtares së madhe kosovare, Naxhmije Pagarusha. Gjatë bisedës sonë, ajo na foli me dashuri për Vaçe Zelën dhe, siç thotë populli, e “ngriti në qiell”, për cilësitë njerëzore të saj dhe talentin e rrallë të këngëtares. Pas atij udhëtimi, kam botuar një libër modest, me shënime e përshtypje. Duke u ndalur në takimin e mësipërm me Pagarushën, aty kam nënvizuar këto radhë domethënëse: ”…Por i trgoj edhe se, para disa ditësh, “Artistja e Popullit” Vaçe Zela kishte ditëlindjen, që e festoi atje në Zvicër. Për këtë arsye, me ndërmjetësinë e mikut tim në Gjenevë, Alfred Papuçiu, i dërgova asaj një mesazh përshëndetjeje dhe urimi. Nexhmija më dëgjon me vëmendje për këto, që i flas dhe thotë se Vaçja është këngëtare e madhe dhe se është e udhës që kurrë të mos harrohen këngëtarët as artistët, të cilët me zërin dhe shpirtin e tyre iu përkushtuan Atdheut tonë të përbashkët”(“Rrahin zemrat arbërore”, Tiranë, 2011, faqe 57).
3.
Duke patur njohuri për gjendjen e rënduar shëndetësore të Vaçes, por dhe me respektin e pashkëputur për të, në pranverën e vitit 2011, pra afër 3 vjet më parë, shkëmbeva mesazhe me kolegun e mikun tim, Alfred Papuçiu, me banim familjarisht në Gjenevë. Siç e përmenda më lart, në atë kohë, Vaçja kishte përvejtorin e lindjes dhe, meqenëse e dija se ai mbante lidhje familjare me të dhe unë nuk e kisha e-mailin, iu luta që t’ia dërgonte asaj një urim timin. Tani, kërkoj mirëkuptimin e lexuesve, që po e publikoj, për herë të parë, mesazhin tim, dërguar këngëtares sonë të madhe, Vaçe Zela, e cila jetonte familajrisht në Bazel të Zvicrës. Pra, ja teksti i plotë i përshëndetjes sime:
“VAÇE ZELËS: MESAZH NDERIMI E URIMI, NË 72-VJETEORIN E DITËLINDJES
E nderuara dhe e respektuara Znj. VAÇE ZELA,
Njeriu i mirë, Artiste e Madhe e atdhetare e shquar,
“Artiste e Popullit” dhe “Nderi i Kombit” – ZVICËR
Ju përshendes nga zemra dhe ju uroj gjitha të mirat e kësaj bote, në 72-vjetorin
e ditëlindjes suaj!
Ashtu siç e keni shprehur dhe ju shpresën e zjarrtë, për ta parë edhe një herë Shqipërinë, vendlindjen tuaj te dashur, dhe unë kam dëshirën e madhe që kjo ëndërr e bukur t’u realizohet sa me shpejt dhe ju të ndodheni përsëri ndërmjet artdashësve të panumert dhe popullit tuaj, që aq shumë ju do dhe ju respekton.
Që në vitet e rinisë sime, ashtu si për intelektualët e tjerë dhe mijëra e mijëra shqiptarë, ju mbaj mend e ju kujtoj, se keni qenë dhe mbeteni Ylli i pashuar dhe dritëplotë i këngës dhe artit shqiptar.
Jam i bindur se zëri dhe shpirti juaj i ndjeshëm, është prekur aq shume gjatë jetës, sa dhe ua ka kufizuar, sadopak në vitet e fundit, gjendjen tuaj shendetësore. Por jam i sigurtë, se ju keni qenë dhe jeni një Shqiponjë, gjithnjë në fluturim dhe e paepur, pra do t’i mposhtni me guxim, si deri tani, të gjitha kufizimet e moshës e të sëmundjes dhe keni për të mbetur përherë e re, në mendjet dhe zemrat e të gjithë atyre shqiptarëve, që e kanë përjetuar e dëgjuar zërin tuaj brilant dhe këngën tuaj aq frymëzuese për jetën.
Me dëshirën që mos t’u lodhi me këtë mesazh timin, përfundoj pa u zgjatur, duke ju uruar edhe një herë, shpirtërisht:
Shëndet të plotë e jetëgjatesi, sa ua dëshiron zemra dhe lumturi të pafundme familjare!
Me nderime dhe shumë respekt për Ju:
Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues, Tiranë, 8 prill 2011”.
…Në mbyllje të këtyre pak radhëve, dëshiroj të shprehem se emri, zëri dhe kujtimi për Vaçe Zelën do të mbeten kurdoherë të paharruar e do të ruhen në mendjet dhe zemrat e brezave të shqiptarëve, në të gjitha trojet amtare e në diasporë.
Tiranë, 7 shkurt 2014